Zbrazëtirat gjinore në mësimin elektronik (online) dhe proceset arsimore

Mungesa e arsimit ka pasoja serioze për zhvillimin e kapaciteteve individuale, si dhe mirëqenien
e shoqërisë dhe komunitetit në përgjithësi. Megjithatë, ka raste kur sistemet arsimore nuk janë në
gjendje të sigurojnë edukim të vazhdueshëm për të gjithë, si për shembull gjatë një pandemie ose
goditjeve të tjera të papritura natyrore. Më konkretisht, COVID-19 ka vënë në fokus edhe
pabarazitë në arsim. Nga një shënim për çështjet e UNESCO-s të gushtit 2020, "Në 46 vende,
735 milionë studentë – përfshirë 356 milionë vajza – janë të pasigurt se kur do të ulen përsëri në
një klasë". (OKB, 2020)

Megjithëse vajzat në shumë vende të botës kanë arritur regjistrimin e barabartë me djemtë në
arsimin fillor dhe të mesëm, vajzat në shumë vende të tjera janë në rrezik të mos e arrijnë këtë,
ndërsa mësimi online mund ta ketë përkeqësuar më tej këtë mospërputhje. Dëshmitë nga vendet
me të ardhura të ulëta dhe të mesme tregojnë se prindërit u japin vajzave qasje në teknologjinë
dixhitale në një moshë më të vonshme sesa bashkëmoshatarët e tyre meshkuj dhe se qasja e tyre
është "më e kufizuar ose e mbikqyrur" (Livingstone, S. et al., 2017).
Më shumë burra se gra kanë qasje në internet në të gjitha pjesët e botës. Rrjedhimisht, nuk është
për t’u befasuar që vajzat kanë 25 për qind më pak gjasa se djemtë që të dinë se si të përdorin
teknologjinë për qëllime bazë, si regjistrimi në mësimin online ose përdorimi i teknologjisë për
arsim (UNESCO, 2020). Kjo krijon një disproporcion të qasjes në të mësuarit online bazuar në
gjini dhe mund t'i lënë ato që janë mbrapa në një disavantazh të dukshëm shoqëror dhe
ekonomik.

Këto disavantazhe krijojnë gjasa për të braktisur proceset arsimore. Kjo është për shkak të shumë
faktorëve, duke përfshirë: “a) kufizimet financiare dhe presionin për të marrë punë, b) punët e
shtëpisë, c) kujdesin ndaj fëmijëve, veçanërisht kur prindërit ose kujdestarët janë të sëmurë ose
kanë vdekur, d) martesa e hershme dhe e detyruar dhe/ ose shtatzëni të hershme dhe të
padëshiruar” (OKB, 2020). Në Kosovë, komunitetet e margjinalizuara si komunitetet rome,
ashkali dhe egjiptiane janë kryesisht të prekura nga kufizimet financiare; ndërsa, vajzat janë
veçanërisht të prekura ndaj faktorit të fundit. Kjo do të thotë se edhe në epokën digjitale të
arsimit, të drejtat e grupeve të margjinalizuara sërish shpërfillen.

Share :

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published. Required fields are marked *